Panariti takohet me Milo Gjukanovic

13/01/2013 00:00

Në kuadrin e punimeve të sesionit të tretë të Asamblesë së Përgjithshme të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, zhvilloi një takim me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanovic.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve duke e vlerësuar atë si një model të bashkëpunimit dypalësh për të gjthë rajonin.

Ministri Panariti theksoi gjithashtu rëndësinë e konkretizimit të marrëdhënieve duke plotësuar bazën ligjore të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve, konkretisht marrëveshjes në fushën e arsimit si dhe atë të njohjes reciproke të lejeve të drejtimit.

Gjithashtu ministri Panariti propozoi ndërmarrjen e hapave konkrete për negocimin dhe nënshkrimin e një marrëveshje për vendosjen e linjës së fluturimit mes Tiranës, Podgoricës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Panariti i transmetoi kryeministrit të Malit të Zi ftesën e kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë.

Top Channel