
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kërkoi mbledhjen sa më shpejt të tryezës së partive opozitare, me qëllim zyrtarizimin e frontit të përbashkët për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Ai apeloi për veprime konkrete për të treguar që opozita nuk është e fragmentarizuar.
“Të organizohemi nga pikëpamja e strukturës, të shpallim objektivat elektoralë dhe të përcjellim mesazhe optimizmi me qëllim që elektorati ynë të marrë sinjalet e duhura”, theksoi Paskal Milo.
Zoti Milo mbështet idenë që fronti opozitar të zgjerohet sa më shumë dhe të nisë aksionin e përbashkët për të fituar këtë betejë me qeverinë Berisha.
“Partitë duhet të shfaqen tani sepse ka ardhur momenti. Duhet të japin shenjën se janë kundër mazhorancës qeverisëse. Nuk ka kohë për të humbur”, shtoi Milo.
Top Channel