Persona për të cilët policia thotë se janë anëtarë të grupeve anarkiste, kanë sulmuar me bombë molotov banesën e vëllait të zëdhënësit të qeverisë greke, Simo Qedhikoglou.

Sulmi i pazakontë ka ndodhur gjatë orëve të natës, në kohën kur vëllai i zëdhënësit, bashkëshortja dhe fëmija e tyre 3-vjeçar ndodhej në banesë. Sipas policisë, persona të panjohur, thyen me vare hyrjen e portës së godinës trekatëshe ku banon vëllai i zëdhënësit e pastaj lëshuan një bombë molotov.

Flakët e zjarrit dëmtuan godinën, por për fat nuk vunë në rrezik jetët e personave brenda saj. Incidenti përfundoi me ndërhyrjen e zjarrfikësve që mbërritën menjëherë në zonë duke shuar shumë shpejt flakët. Zëdhënësi i qeverisë greke është prej kohësh në krye të përballjes politike me eksponentë të së majtës radikale.

Ai e ka akuzuar shpeshherë partine Syriza se fshihet pas  sulmeve anarkiste dhe mbështet ekstremistët, protagonistë të akteve të dhunës gjatë protestave të shumta që zhvillohen në rrugët e qyteteve greke që prej fillimit të krizës ekonomike.

Top Channel