100-vjetori i Policisë së Shtetit

13/01/2013 00:00

Me homazhe nderimi për të gjithë efektivët e policisë të rënë në krye të detyrës ndër vite është shënuar nisja e festimeve për 100-vjetorin e krijimit të Policisë Shqiptare.

Në jubileun e 100 të Policisë së Shtetit, kryeministri Sali Berisha përgëzoi policinë shqiptare për të gjitha arritjet në luftën kundër kriminalitetit, por edhe për performancën e saj përgjatë zgjedhjeve.

“Ligji i vendit ju ka ngarkuar me disa detyra speciale në procesin zgjedhor dhe në këtë proces ju jeni më të mirët në përmbushjen e këtyre detyrimeve. Pas çmontimit dhe vendosjes para ligjit të bandave të Aldo Bares, Nehat Kullës, Lul Berishës etj., Shqipëria pati mundësinë të anëtarësohej në NATO”, theksoi kryeministri.

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, theksoi se tashmë kemi një polici të depolitizuar, por që duhet të ketë praktika më të mira në shërbim të komunitetit.

Ndërkohë, duke nënvizuar se motoja e policisë shqiptare është tolerancë zero ndaj krimit, numri një i policisë, Hysni Burgaj, kujtoi sërish të gjithë ata policë që humbën jetën në përballjen me antiligjin: “Në këtë përvjetor të organizatës sonë, përulemi me nderim për kolegët tanë që flijuan për detyrën.”
Ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi: “Nderim dhe mirënjohje për të gjithë ju. I paharrueshëm qoftë kujtimi i të gjithë atyre që kanë rënë në krye të detyrës.”

Në përfundim të festimeve, strukturat më të rëndësishme të policisë demonstruan forcat e tyre taktike para publikut sikurse ndërhyrja në grabitjen e Muzeut apo mbarëvajtja e një proteste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA