Siri, rebelët marrin pika strategjike

12/01/2013 02:30

Kryengritesit sirianë morën nën kontroll një nga bazat më strategjike në veri-perëndim të Sirisë, ku vazhdojnë prej javësh përleshjet e armatosura.

Videot e publikuara në internet tregojnë kryengritesit, që festojnë në aeroportin e Taftanazit, ku shihen tanket dhe helikopterë të ushtrisë, të përdorur për të sulmuar zonat bastione të kryengritësve.

Qindra anëtarë të Ushtrisë së Lirë Siriane, të udhëhequr nga grupet xhihadiste “Fronti Al Nusra”, “Ahrar al Sham” dhe “Pararoja Islamike”, prej muajit nëntor kanë rrethuar Aeroportin Ushtarak të Taftanazit, në provincën e Idlibit.

Nuk është folur për viktima në rradhët e kryengritësve apo forcave pro-qeveritare, megjithëse në videot e kryengritësve u panë trupat e 10 ushtarëve të vrarë.

Komitetet e Koordinimit Lokal raportuan për 69 viktima në të gjithë vendin, ditën e premte, përfshire 40 persona në Nahat Al Houl, në provincën veri-perëndimore Hasakeh.

Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se bilanci i viktimave të konfliktit në Siri numëron mbi 60 mijë të vrarë.

Kriza, përpjekjet diplomatike
Takimi i Brahimit me përfaqësuesit amerikanë dhe rusë nuk solli rezultat

Përpjekjet diplomatike në Gjenevë për të zgjidhur krizën dështuan sërish.

Takimi mes të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Lakdar Brahimi, zv-Sekretarit amerikan të Shtetit, Uilliam Berns, dhe zv-ministrit të Jashtëm rus, Mikail Bogdanov, nuk shënoi asnjë progres.

Brahimi kërkoi takimin për të diskutuar vënien në zbatim të planit të propozuar nga “Grupi i Veprimit për Sirinë”, i cili bën thirrje për ndalje të dhunës dhe ngritjen e një qeverie tranzicioni.

Në deklaratën e përbashkët u nënvizua se nuk do të ketë zgjidhje ushtarake si dhe nevoja për të arritur një zgjidhje politike.

Nga Stambolli, Xhorxh Sabra, kreu i grupimit opozitar “Këshilli Kombëtar Sirian”, u shpreh i zhgënjyer me Brahimin, duke thënë se ai nuk tha apo bëri diçka të re. “Ne shpresuam – tha Sabra, – se pas fjalimit të Bashar Al Asad diçka do të ndryshonte edhe në politikën e Rusisë dhe bashkësisë ndërkombëtare për çeshtjen e Sirisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA