
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, ka caktuar datën 24 mars të këtij viti, për mbatjen e zgjedhjeve lokale.
Këtë vendim ai e ka nënshkruar të premten dhe ka ftuar partitë politike që, para dhe gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, të sillen në mënyrë korrekte dhe në bazë të kushtetutës.
Në këto zgjedhje, partitë politike do të garojnë për kryetar të komunave dhe këshillat komunalë, në 82 komuna dhe në qytetin e Shkupit, si komunë e veçantë e qeverisjes lokale.
Por, partia më e madhe maqedonase në opozitë LSDM ka kërkuar që, paralelisht me zgjedhjet vendore, më 24 mars të shpallen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për të evituar thellimin e mëtejshëm të krizës politike në vend.
Sipas kësaj partie, përmes zgjedhjeve të lira, qytetarët duhet të zgjedhin përbërje të re të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv, për shkak se, pas dhunës në Kuvend ndaj deputetëve të opozitës, mazhoranca aktuale nuk ka më legjitimitet, sepse shkeli rendin kushtetues dhe shtetin juridik.
Pas shpalljes së datës, për mbatjen e zgjedhjeve vendore, nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor kanë njoftuar se janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet e domosdoshme për zbatimin e veprimeve ligjore, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 24 mars.
Top Channel