Trupat amerikane do të përfundojnë operacionet luftarake në Afganistan, këtë pranverë. Për këtë ranë dakort si presidenti amerikan, Barak Obama, ashtu dhe ai afgan, Hamid Karzai.
“Duke nisur këtë pranverë, ushtarët tanë do të kenë një mision tjetër; trajnimin, këshillimin dhe ndihmën për forcat afgane. Do të jetë një moment historik dhe një hap përpara drejt sovranitetit të plotë të Afganistanit”, tha Obama.
“Jam shumë i lumtur të degjoj nga presidenti amerikan, siç diskutuam edhe më herët, se në pranverë të këtij viti forcat afgane do të jenë plotësisht përgjegjëse për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e popullit afgan”, u shpreh Karzai.
Ndryshimi i rolit të trupave amerikane këtë pranverë do të bëhet disa muaj përpara mesit të 2013-s, afat që u caktua në samitin e Çikagos, vitin e kaluar.
Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se ushtarët do të qëndrojnë në Afganistan përtej 2014-s, vetëm me ftesë të qeverisë afgane dhe sipas një marrëveshjeje, që do t’u garantojë imunitet nga ligjet e vendit.
Ai përforcoi qëllimin për të shpartalluar mbetjet e Al Kaedës, duke thënë se SHBA është shumë pranë arritjes së këtij objektivi.
Karzai dhe Obama do të punojnë për një pakt dypalësh për sigurinë, sa më shpejt të jetë e mundur. Komandantët amerikanë folën për 6000 deri në 15 mijë trupa, që do të qëndrojnë në Afganistan.
Obama dhe Karzai, gjatë deklaratës së përbashkët, thanë se progresi i forcave afgane ka tejkaluar çdo pritshmëri. Tani ata drejtojnë 80% të operacioneve dhe, prej muajit shkurt, pritet t’i grantojnë siguri 90% të popullsisë afgane.
Të premten, Karzai konfirmoi se do të japë dorëheqjen si president, ashtu siç pritej, në fund të mandatit në vitin 2014. Dy udhëheqësit mbështetën nisjen e bisedimeve në Doha të Katarit, mes qeverisë afgane dhe krerëve talebanë, si dhe dorëzimin e stafetës për kujdestarinë e të burgosurve qeverisë afgane, një hap i vështirë, sipas Karzait, për sovranitetin e vendit të tij.
Top Channel