Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, duke thënë se ato po e zhvendosin vëmendjen nga prioritetet strategjike të vendit.
Me anë të një deklarate, krerët e misioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në Shkup i bënë thirrje opozitës të kthehet në Kuvend dhe qeverisë që të ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm për dialog politik.
Ambasadorët thanë se respektimi i institucionit të Kuvendit do të ishte në interes të të gjitha partive politike dhe vendit, pasi programet e integrimit në BE dhe NATO janë me rëndësi kyçe për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake.
Opozita maqedonase u mundua vitin e kaluar të rrëzonte nga pushteti kryeministrin Nikolla Gruevski përmes protestave dhe bllokimit të rrugëve.
Pas ngjarjeve të dhushme që ndodhën në dhjetor në Parlament gjatë miratimit të buxhetit, lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski tha se, opozita nuk i njeh më institucionet e vendit dhe bëri thirrje për mosbindje qytetare.
Një ditë para fundit të vitit, mijëra mbështetës të opozitës maqedonase protestuan në Shkup para selisë së partisë më të madhe në pushtet, VMRO-DPMNE.
Lideri i opozitës, Cërvenkovski tha se protesta ishte organizuar para selisë partiake, sepse brenda saj krijohen sipas tij politikat jodemokratike që zbaton kryeministri Gruevski, i cili po e çon vendin drejt diktaturës.
Top Channel