Pjesëtarë të shoqërisë civile, të mbështetur nga subjektet politike në Deçan dhe qytetarë, protestuan gjatë së enjtes në qendër të qytetit, për të shprehur pakënaqësinë ndaj një vendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në favor të Manastirit të Deçanit.

Sipas tyre, përmes këtij vendimi, 23 ha tokë, që ishin pjesë e dy ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, janë lejuar që t’i jepen Manastirit të Deçanit.

Këto prona, siç thanë organizatorët e protestës, i janë dhuruar Manastirit të Deçanit, pak para fillimit të luftës në Kosovë, në vitin 1997, nën masa të dhunshme nga regjimi i Millosheviçit.

Adem Lushaj, nga këshilli organizativ i protestës, thotë se kjo ishte rifuqizuar edhe përmes një vendimi ekzekutiv të UNMIK-ut, të vitit 2005.

Më shumë se 5 mijë nënshkrime, të qytetarëve të Deçanitm janë mbledhur dhe, përmes një peticioni, pritet që t’i drejtohen institucioneve vendore, të cilat deri tani nuk kanë reaguar.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, thotë se nënshkrimet dhe materialet e tjera do t’ia dorëzojnë Gjykatës Supreme dhe institucioneve kryesore të Kosovës.

Sipas Selmanajt, nëse respektohen ligjet e aplikueshme sot në Kosovë, ndërmarrjet shoqërore duhet të dalin në privatizim e jo t’i jepen ndokujt.

Sidoqoftë, gjatë kohës sa mbahej protesta në qendër të qytetit të Deçanit, pak kilometra më tutje, ku ndodhet edhe Manastiri i Deçanit, u pa prezencë e shtuar e Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it.

Top Channel