Programi bërthamor, Irani pranon bisedime

11/01/2013 16:00

Një raund i ri bisedimesh për programin përthamor të Iranit do të realizohet në fund të janarit, lajmëroi të premten agjensia ruse “Ria Novosti”, duke iu referuar burimeve brenda Teheranit zyrtar.

Bisedimet do të zhvillohen sipas formulës së zakonshme “5+1”, me të dërguarit iranianë që do të negociojnë me përfaqësuesit e pesë vendeve të Këshillit të Sigurimit në OKB (SHBA, Kinë, Rusi, Francë, Britani) dhe Gjermaninë.

Takimi i fundit midis palëve është zhvilluar në gusht, por ai nuk arriti të jepte rezultate konkrete.

Si rrjedhojë e refuzimit të inspektimeve nga Agjensia Bërthamore e OKB-së, Irani është bërë subjekt i sanksioneve të shumta ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në një inflacion galopant dhe rënien e fitimeve nga nafta me 45%.

Përballë kësaj situate të vështirë, duket se presidenti Ahmadinejad është detyruar të lëshojë dhe të negociojë për pranimin e inspektorëve, në mënyrë që të lehtësojë barrën e rëndë mbi vendin e tij.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Zhvillimet e fundit të programit në Iran, kanë bërë që Izraeli të kërcënojë me një ndërhyrje ushtarake të njëanshme, pasi sipas Tel Avivit zyrtar, kapacitetet e mundshme bërthamore në dorë të Teheranit janë në gjendje të kërcënojnë ekzistencën e shtetit hebre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA