Fillojnë përgatitjet për shënimin e pesëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Barrën kryesore të organizimit e ka marrë zëvendëskryeministri i Hajredin Kuçi.

Nëpërmjet telefonit ai bëri të ditur se ceremonia kryesore ndërlidhet me atë që është quajtur parada e pavarësisë. Kjo nënkupton parakalimin e një formacioni shumë më të madh të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por jo vetëm kaq.

Në pesëvjetorin e pavarësisë së Kosovës do të parakalojnë edhe një tog nderi i ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po kështu, sipas zotit Kuçi, qeveria e Kosovës do të ftojë për pjesëmarrje edhe oficerë të NATO-s.

Ceremonitë e tjera janë Akademia Solemne dhe një koncert i Filarmonisë së Kosovës, homazhe në varrezat e dëshmorëve në gjithë Kosovën, koncerti i pavarësisë në sheshin Nënë Tereza dhe seanca solemne e Kuvendit.

Pjesë e festimeve për Ditën e Pavarësisë do të jetë edhe shënimi i Përvjetorit të Themelimit të Universitetit të Prishtinës. Ky aktivitet do të koordinohet me Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.

Ceremoni festive do të organizohen edhe në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa ambasadat e Kosovës në botë do të organizojnë pritje për nder të Ditës së Pavarësisë.

Për të gjitha këto është dakorduar në takimin e parë të Këshillit Organizativ, në të cilin morën pjesë ministri i FSK-së, ministri i Kulturës, përfaqësues nga Presidenca, Kuvendi, komuna e Prishtinës, rektori i Universitetit të Prishtinës, zëvendësministri i Jashtëm dhe përfaqësues nga Protokolli i Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA