Komisioni Evropian ka ndarë 65 milionë euro për të mbështetur përpjekjet e Kosovës në implementimin e reformave në kuadër të axhendës evropiane.

Fondet do të përdoren për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe administratës publike, për investime në arsim dhe zhvillim rajonal, si dhe për t’u ofruar strehim dhe vende pune familjeve rome, ashkali dhe egjiptiane, raporton “RTK”.

Sipas burimit, fondet gjithashtu do të përdoren për rritjen dhe zhvillimin e sektorit privat, me qëllim fuqizimin e kapaciteteve tregtare të Kosovës.

”Këto fonde reflektojnë përkushtimin tonë për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Administrata publike dhe gjyqësori më efikas, integrimi më i mirë i pakicave, arsimimi më i mirë, si dhe zhvillimi ekonomik janë prioritete kyçe në këtë drejtim”, ka deklaruar komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle.

Fondi në fjalë hyn të premten në Programin Vjetor 2013 për Kosovën, të Instrumentit për Asistencë të Paraanëtarësimit dhe do t’i bashkohet një shume prej 12.5 milionë eurosh nga bashkëfinancimi i autoriteteve të Kosovës dhe donatorëve të tjerë.

Programi gjithashtu do të ndihmojë në përgjigjen ndaj prioriteteve politike, si dialogun Prishtinë-Beograd, rishikimin strategjik të EULEX-it dhe dialogun për liberalizimin e vizave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA