Katalunja, e pavarur brenda BE-së?

11/01/2013 15:50

Dy partitë më të mëdha në Katalunjë (“CIU” dhe “ERC”) redaktuan deklaratën e tyre të përbashkët për pavarësinë e krahinës, duke shprehur “vullnetin” jo vetëm për themelimin e një shteti të pavarur, por edhe të një vendi që do të mbetet brenda Bashkimit Europian.

Dokumenti, i cili shërben si “udhëheqës” i procesit të shkëputjes do të kalojë në votim në Parlamentin Katalanas në 23 janar dhe teksti i është shpërndarë përveç dy partive të mazhorancës, edhe grupimeve të tjera që formojnë qeverinë rajonale.

Vlera e këtij “manifesti” nuk njihet zyrtarisht nga Spanja ose vendet e tjera të BE-së, por është një tregues i qartë i hapave të reja që po hidhen në drejtimin e pavarësisë.

Katalunja shpreson të mbajë në vitin 2014 një referendum për shkëputjen, rezultatin e të cilit Madridi zyrtar është shprehur se nuk ka ndërmend ta njohë.

Pavarësisht vullnetit katalanas për të fituar pavarësinë, krahas qëndrimit në BE, diçka e tillë duket e vështirë për t’u realizuar.

Më parë, një shteti tjetër që po përpiqet të fitojë pavarësinë, si Skocia, i është bërë e qartë që nëse referendumi i 2014-s do të përkrahë shkëputjen nga Britania e Madhe, vendit do t’i duhet të aplikojë nga e para për t’u bërë pjesë e unionit.

Në Katalunjë, sondazhet parazgjedhore tregojnë se krahina me përmasa të ngjashme me të Shqipërisë, me një popullsi prej 7,6 milionë banorësh dhe kryeqendër Barcelonën mbështet me shumicë dërrmuese opsionin e shkëputjes.

Të pyetur mbi mundësinë që dy partitë kryesore të ndryshojnë qëndrim dhe të anullojnë referendumin, zëdhënësit thanë se “kjo mund të ndodhë vetëm nëse një bombë bërthamore do të hidhet mbi ne”.

Sipas mediave ndërkombëtare, drejtuesit e Katalunjës po marrin në konsideratë të përdorin precedentin kosovar, në mënyrë që të fitojnë pavarësinë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA