Përmirësimi i klimës dhe raporteve europiane në favor të Greqisë duket se ka ndikuar në ndryshimin e klimës politike brenda vendit.

Sipas një sondazhi të parë për 2013-ën, organizuar nga shoqata “Cështje publike”, partia e kryeministrit Andonis Samaras udhëheq në preferencat e qytetarëve me 29 përqind, kundrejt 28.5 përqind të koalicionit të majtë Syriza.

Ekstremistët e djathtë të Agimit të Artë, edhe pse me pak rënie, ruajnë pozitat e tyre në vendin e tretë me 10 përqind, ndërkohë që socialistët e PASOK-ut janë në vendnumëro, të katërtët me 8 përqind të preferencave.

Sipas organizatorëve të këtij sondazhi marrja e mbështetjes ndërkombëtare për të tejkaluar krizën ekonomike i ka siguruar kryeministrit Andonis Samaras edhe mbështetjen e pjesës më të madhe të popullit të përcarë grek.

2012 ishte një vit i trazuar në jetën politike greke. U deshën dy procese zgjedhore në muajt e verës për të dalë me një koalicion qeverisës, pasi asnjëra prej forcave tradicionale, PASOK dhe Demokracia e Re nuk mundi të siguronte një shumicë qeverisëse.

Edhe vetë qeveria aktuale është e ngritur mbi bazën e një koalicioni të panatyrshëm. Demokracia e Re qeveris së bashku me PASOK-un dhe një grupim tjetër deputetësh të majtë.

Top Channel