Franca, trupa ushtarake në ish-koloninë e Malit?

11/01/2013 16:20

Franca është e gatshme të dërgojë trupa ushtarake në ish-koloninë e saj afrikane të Malit për të ndaluar militantët islamike që të marrin nën kontroll vendin, deklaroi të premten presidenti Francois Hollande.

Megjithatë, Hollande shtoi se Parisi zyrtar mund të veprojë vetëm nëse për këtë do të ketë një autorizim nga OKB.

Kjo ishte përgjigja që kreu i shtetit francez i dha lutjes së homologut të tij malez, Dioncounda Traore, që ka apeluar për ndihmë, duke pranuar se forcat e tij nuk mund të fitojë të pambështetura këtë luftë.

Më parë gjatë javës, presidenti i Bashkimit Afrikan të Kombeve, Thomas Boni Yayi, i bëri thirrje NATO-s që të ndërhyjë urgjentisht, për të zgjidhur konfliktin në Mali.

Sipas Yayit, lejimi i pushtimit të vendit nga rebelët islamikë do të vendoste një precedent të rrezikshëm dhe kërcënues për paqen në të gjithë botën.

Pas një kryengritje të nisur në tetor 2012, rebelët mbajnë të pushtuar gjysmën veriore të vendit të varfër afrikan, ku kanë shpallur një shtet të pavarur islamik, të panjohur ndërkombëtarisht.

Rebelët, të cilët besohet se kanë lidhje të forta me Al-Kaedën dhe organizata të tjera të terrorizmit ndërkombëtar, kërcënojnë të pushtojnë edhe pjesën tjetër të vendit.

Përballë krizës malaze, disa vende të NATO-s, përfshirë SHBA dhe Franca, kishin shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në stërvitjen e trupave afrikane, por pa ofruar dërgimin e trupave të tyre në ndihmë të Bamakos zyrtare.

Një prej shteteve më të varfër në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku, e nje popullsi prej 14,5 milione banoresh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA