Ndërmjetësi i OKB-së në çështjen e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimiç, pas takimeve me liderët e dy vendeve u shpreh për herë të parë optimist për zgjidhjen e këtij kontesti 20-vjeçar.

Ai tha se ka vërejtur interesim të shtuar nga të dy palët për arritjen e një kompromisi. Pas takimeve që realizoi të premten në Shkup me kreun shtetëror maqedonas, Nimiç tha se ka marrë garanci të forta se zgjidhja e problemit të emrit është prioritet i lartë i qeverisë së Maqedonisë.

“Biseduam në detaje dhe për mundësi të ndryshme. Unë paraqita disa ide për të cilat palët shprehën interes. Nga vizitat e mia në Shkup dhe Athinë mund të them se kam vërejtur interesim të shtuar dhe qasje serioze rreth mundësive për gjetjen e një zgjidhjeje të pranushme për të dyja palët”, deklaroi Nimiç.

Duke komentuar vizitën e ndërmjetësit Metju Nimiç në Shkup, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi tha se shpreson që çështja e emrit të zgjidhet në pjesën e dytë të këtij viti, pas zgjedhjeve vendore që do të mbahen në muajin mars, ku ai pret që partia e tij të fitojë në më shumë komuna se partia shqiptare në pushtet BDI.

“Ajo që duhet të ndodhë fillimisht duhet të jetë marrja e legjitimitetit nga ana e shqiptarëve këtyre shqitparëve që janë në qeveri dhe që po vazhdojnë të na mashtrojnë duke thënë se ata do të bëjnë ndryshime. Më pas partia jonë do të arrijë t’i bindë të gjithë faktorët e brendëshëm se ne jemi ata që mund ta ndryshojmë këtë gjendje, si dhe problemin e emrit do ta zgjidhim”, tha Thaçi.

Për shkak të problemit të pazgjidhur të emrit kushtetues të Maqedonisë, Athina po bllokon avancimin e Shkupit në proçeset euroatlantike dhe anëtarësimin në BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA