Çekët votojnë për presidentin

11/01/2013 00:00

Çekët do të votojnë të premten dhe të shtunën për të zgjedhur për herë të parë direkt presidentin e tyre.

Në garën për postin më të lartë në vend për pesë vitet e ardhshme janë përfshirë nëntë kandidatë, tre prej të cilëve janë femra.

Sondazhet e para flasin për një garë të ashpër mes dy ish-kryeministrave, Milos Zeman, që gëzon një mbështetje prej 25 përqindësh dhe Jan Fischer me 20 përqind të preferencave aktuala, gjithnjë sipas sondazheve.

I treti në preferencat e çekëve është Vladimir Franz, i bërë i famshëm jo për ndonjë zotësi të tij, por për pamjen krejtësisht të tatuuar.

Parashikimet janë që në raundin e parë të zgjedhjeve, asnjë prej kandidatëve të mos kalojë përqindjen e nevojshme për t’u shpallur fitues, ndaj do të jetë balotazhi mes dy kandidatëve që do të marrin më shumë vota në raundin e parë, ai që do të nxjerrë emrin e presidentit të ardhshëm çek.

Pas Vaclav Havel dhe euro-skeptikut, Vaclav Klaus, presidenti që do të dalë nga këto zgjedhje, do të jetë presidenti i tretë që nga demokratizimi i Republikës Çeke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB