Administrata Obama ka mbrojtur përpara gjykatës së apelit në Uashington vendimin për të mos publikuar fotot e vdekjes së Osama Bin Laden.
Gjykata aktualisht po shqyrton apelin e paraqitur nga OJQ-ja konservatore Judicial Watch, që ka kërkuar publikimin e 52 fotove të sheikut të terrorit.
CIA dhe qeveria amerikane refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë për arsye të sigurisë kombëtare. Vendimi i gjykatës pritet të jepet së shpejti, por ende nuk dihet data e saktë.
Ata që janë të interesuar të dinë më shumë për eleminimin e Bin Laden mund të mësojnë diçka më tepër me filmin “Zero Dark Thirty”, që del pikërisht më 11 janar në kinematë amerikane dhe pak kohë më vonë në Evropë.
Filmi tregon për kërkimet në terren të agjentëve të CIA-s deri në operacionin blic të komandove të njësisë Navy Seal, që thuhet se ekzekutoi sheikun me dy plumba në kokë.
Filmi në fjalë është kritikuar ashpër nga tre senatorë amerikanë dhe drejtuesit e CIA-s, së pari sepse sipas tyre promovon torturën dhe së dyti sepse tregon më shumë se ç’duhet taktikat e agjentëve të zbulimit.
Top Channel