Rebelët, në luftë me qeverinë, në Republikën e Afrikës Qendrore, kanë bërë të ditur arritjen e një marrëveshjeje “armëpushimi një-javore”.
Aleanca e rebelëve, Seleka, mori kontrollin e veriut dhe lindjes së këtij shteti, pas sulmeve 4 javore, që nisën më 10 dhjetor.
Ata akuzojnë presidentin Francois Bozize, se ka thyer marrëveshjet e mëparshme të paqes. “Do të pranojmë në princip këtë armëpushim 1-javor”, tha zëdhënësi i rebelëve, Florian Ndjadder. Ai tha se kjo marrëveshje do të lejojë rebelët të “testojnë dëshirën e mirë” të presidentit Bozize.
Rebelët, që kanë kërkuar më parë dorëheqjen e presidentit, thanë gjithashtu se duan që të kandidohet një kryeministër i ri nga opozita, duke shtuar edhe kërkesa të tjera.
“Mercenarët nga Afrika e Jugut duhet të largohen nga territori i Afrikës Qendrore, të burgosurit politikë duhet të lirohen pa kushte gjatë së njëjtës periudhë”, tha Ndjadder.
Afrika e Jugut ka dërguar rreth 400 trupa për të ndihmuar në stabilizimin e Afrikës Qendrore. Gjithashtu janë dërguar trupa ushtarake edhe nga vendet fqinje.
SHBA dhe Franca, ish-fuqitë kolonizuese, kanë refuzuar lutjet e qeverisë për ndihmë kundër rebelëve, që shënojnë rrezikun më të madh për presidentin Bozize, që kur ky ka marrë pushtetin pas një grushti shteti në 2003.
Top Channel