Vriten tre gra kurde në Paris

10/01/2013 00:00

Tre gra kurde janë vrarë me armë zjarri në Paris, të treja me shenja plumbi në kokë, raportojnë mediat franceze që citojnë burime policore.

Një nga gratë thuhet se është bashkëthemeluesja e lëvizjes separatiste kurde PKK. Trupat janë gjetur në afërsi të Institutit Kurd në kryeqytetin francez.

Ende nuk është i qartë motivi i kësaj vrasjeje të trefishtë, që ndodh në një kohë kur Turqia ka nisur bisedimet me liderin rebel kurd Abdullah Oçalan, në përpjekje për ta bindur që PKK të ulë armët.

Oçalan, ndonëse i burgosur, vazhdon të ketë një ndikim të rëndësishëm në organizatën seperatiste që ai vetë krijoi dhe që konsiderohet si një grupim terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian.

“Skena e krimit të jep idenë e një ekzekutimi, por do të jenë hetimet që do të përcaktojnë rrethanat e vërteta të ngjarjes”, ka thënë një burim policor i cituar nga agjencia e lajmeve “AFP”.

Rreth 40 mijë persona kanë humbur jetën përgjatë konfliktit 25-vjeçar mes shtetit turk dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan i bëri një ditë më parë thirrje rebelëve kurdë që të tërhiqen nga territori i vendit dhe të çarmatosen, ose në rast të kundërt do të përballen me luftën e “pamëshirshme” të Ankarasë Zyrtare.

Ndërkohë, sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, Turqia është e gatshme të pranojë një aministi të gjerë për rebelët, nëse ata pranojnë të nënshkruajnë një armëpushim, të çarmatosen dhe shpërndahen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA