Të paktën 482 luftëtarë të opozitës kanë mbetur të vrarë në luftimet që kanë shpërthyer midis dy grupeve kryesore të kryengritësve, Frontit të Ushtrisë së Lirë dhe Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit në Siri.
Një organizatë me lidhje të forta me Al-Kaedën, Shteti i Irakut dhe Levantit në Siri ka dalë nga grupimi kryesor i kryengritjes të përfaqësuar nga Ushtria e Lirë Siriane, duke vendosur që të luftojë njëkohësisht ushtrinë e rregullt të Bashar al-Assad dhe kryengritësit që nuk mbështesin vendosjen e një shteti islamik pas luftës.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Londër, luftimet i kanë kushtuar jetën 85 civilëve, 240 kryengritësve të Ushtrisë së Lirë dhe 157 militantëve islamikë, që prej përçarjes së frontit rebel në fund të Dhjetorit.
Organizata terroriste që po destabilizon njëkohësisht Irakun ekzekutoi 42 të burgosur në Aleppo, ndërsa Ushtria e Lirë Siriane u kundërpërgjigj duke pushkatuar 47 anëtarë të grupit xhihadist, më parë gjatë kësaj jave.
Përçarja e kryengritësve vjen në momentin më të përshtatshëm për presidentin Bashar al-Assad, ndërsa në Gjenevë po bisedohet për një formulë që do t’i jepte fund luftës civile në vend, e cila i ka kushtuar jetën të paktën 130 mijë sirianëve.
Sipas ekspertëve, kjo përçarje do të lejojë përfaqësuesit e qeverisë që të ushtrojnë më shumë presion në bisedime, për shkak të një përceptimi të forcimit të pozitave në terren.
Për opozitën, një qeveri tranzicioni pa Bashar al-Assad është kushti kryesor për të firmosur armëpushimin, por në kushtet kur tashmë kryengritja nuk është më e bashkuar, paraqitet problemi se kush do të firmosë në emër të rebelëve.
Nga ana e tyre, luftëtarët xhihadistë kanë përsëritur se janë të gatshëm të ulin armët vetëm pas themelimit të një shteti islamik në Siri.
Top Channel