Papunësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ra në nivelin më të ulët në pesë vjet në Dhjetor 2013, ndërsa u krijuan 74 mijë vende të reja pune.
Me këto të dhëna, papunësia në SHBA tashmë llogaritet në 6,7% të popullsisë aktive, në nivelet që shënoheshin edhe në Tetor 2008, përpara përfshirjes nga kriza e pasurive të patundshme.
Megjithatë, numri i vendeve të krijuara gjatë Dhjetorit ishte më i ulti në tre vjet dhe shumë poshtë pritshmërive, ndaj ekspertët vënë në dukje se nuk ka vend për optimizëm.
Një prej arsyeve që ka kufizuar ritjen e punësimit në Dhjetor është edhe moti i keq.
Ndërkaq, ekonomia amerikane është duke përmirësuar rritmin e saj të zhvillimit, me fuqinë blerëse, tregtinë dhe indeksin industrial që raportojnë të dhëna të përmirësuara në krahasim me muajt e mëparshëm.
Situata e përmirësuar ekonomike ka ndikuar që Rezerva Federale, e cila luan rolin e një Banke Qendrore në SHBA, të nisë të tërhiqet nga programi madhor i nxitjes së ekonomisë, i hartuar për të lehtësuar goditjen e krizës së 2008-09 dhe më pas efektet e krizës së Eurozonës në ekonominë më të madhe të botës.
Top Channel