Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, është i vendosur që të marrë masa të forta për të reduktuar krimin e rrugës dhe abuzimin me armët e zjarrit, deklaroi të enjten zëvendësi i tij, Joe Biden, gjatë punimeve të një konference.
Biden theksoi se Shtëpia e Bardhë është duke bërë përpjekje intensive për të hartuar një politikë që do të vendosë nën një kontroll më të fortë armët.
Zëvendëspresidenti pranoi se një nga mundësitë që po merret në konsideratë është që Obama të përdorë kompetencat e tij si president, duke shpallur një moratorium.
Deklarata e Biden erdhi pasi guvernatori i Nju Jorkut, Andreë Cuomo, propozoi ndalimin e menjëhershëm të shitjes së armëve të sulmit dhe atyre me kapacitet të lartë të mbajtjes së plumbave.
Gjatë vitit 2012, në SHBA u realizuan disa seri sulmesh të pamotivuara nga individë të ndryshëm, duke hapur një debat kombëtar mbi ligjin që lejon armëmbajtjen për amerikanët.
Midis ngjarjeve më tronditëse, ishte ajo e Konektikatit, kur vrasësi Adam Lanza vrau 20 fëmjë dhe gjashtë të rritur në një shkollë fillore dhe ajo e Aurorës, ku gjatë transmetimit të një filmit të Batmanit, një vrasës hyri në kinema dhe qëlloi me breshëri, duke i marrë jetën 12 personave të pafajshëm.
Top Channel