Krerët e Google, apel Koresë Veriore

10/01/2013 04:42

Një delegacion i vogël, i udhëhequr nga ish-guvernatori i New Mexico, Bill Richardson, dhe pronari i “Google”, Eric Schmidt, ka nxitur Korenë e Veriut të ndalë testet bërthamore dhe të raketave.

Richardson tha se delegacioni i ka bërë gjithashtu thirrje autoriteteve të zgjerojnë aksesin në internet dhe të sigurojnë trajtim “të drejtë” për shtetasit amerikanë të arrestuar.

Grupi në fjalë u takua me zyrtarë të Penianit, si pjesë e një “misioni privat humanitar”. Qeveria amerikane e përshkroi vizitën si të padobishme.

Richardson e ka vizituar disa herë Korenë e Veriut në të kaluarën, së fundi më dhjetor 2010. Në dy raste, ai ka ndihmuar në sigurimin e lirimit të shtetasve amerikanë të burgosur. Pas vizitës së tij të fundit, rreth 2 vite më parë, ai tha se Peniani ka pranuar të rihapë objektet bërthamore ndaj inspektorëve të Kombeve të Bashkuara, por kjo nuk ndodhi.

Delegacioni u kthye më pas në Pekin, ku dhe iu drejtuan mediave. Të enjten, ish-guvernatori bëri të ditur se mesazhi kryesor i delegacionit ishte se hapja ndaj internetit do t’i sillte përfitime Koresë së Veriut.

“Shtetasit e Koresë së Veriut do të jenë më të mirë, me më shumë celularë dhe me më shumë akses në internet”, tha Richardson për Associated Press. “Këto janë mesazhet që kemi dhënë ndaj zyrtarëve të politikës së jashtme, shkencëtarëve dhe zyrtarëve të qeverisë”.

1 në 16 koreano-veriorë zotëron tashmë një telefon celular, teksa vendi po zhvillon produktet e veta kompjuterike, por vendi ka ende disa nga kufizimet më të ashpra ndaj komunikimit me botën e jashtme, bëri të ditur korrespondenti i BBC-së nga qyteti i Seulit në Korenë e Jugut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA