Një nëndetëse e re ultramoderne, e cila ka një kapsulë në gjendje që të shpëtojë të gjithë ekuipazhin në rast avarie apo goditjeje, u bë të enjten pjesë e flotës ushtarake ruse.
E quajtur “Yuri Dolgoruky”, kjo nëndetëse është e para e klasit Borei.
Ajo do të operohet nga 107 marinarë dhe është e pajisur me 16 raketa interkontinentale, por mund të përshtatet edhe për raketa bërthamore.
Duke mësuar nga tragjedia e “Kursk”-ut, krenarisë së flotës ruse, të fundosur pas një shpërthimi në vitin 2000, për herë të parë në historinë e flotës ushtarake është përfshirë edhe kapsula që lejon marinarët t’i shpëtojnë fundosjes.
Incidenti tragjik i Kurskut, i ndodhur gjatë një stërvitje ushtarake në Detin Artik, i kushtoi atëherë jetën 118 marinarëve.
Kostoja e ndërtimit të një nëndetëse të tillë llogaritet në 23 miliardë rubla (750 milionë dollarë) dhe Rusia do të ndërtojë edhe tetë të tjera deri në vitin 2020.
Rusia është në procesin e modernizimit të flotës ushtarake, me një kosto prej 4,5 trilion rublash, që do të shërbejnë për ndërtimin e 24 nëndetëseve dhe 51 anijeve luftarake, ndër të tjera.
Top Channel