Kosova duket se po e nis mbrapsht vitin 2013, për sa i përket procesit të njohjeve ndërkombëtare.
Republika e Sao Tomes, një shtet që pranoi shtetësinë e Kosovës vitin e kaluar, paralajmëron tërheqjen e vendimit.
Burime brenda institucioneve të Kosovës bëjnë të ditur se në Sao Tome ka ardhur në pushtet qeveria e re, e cila ka paralajmëruar rrëzimin e të gjitha vendimeve që ka marrë qeveria e kaluar, përfshi këtu edhe njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Merita për njohjen e Pavarësisë nga Sao Tome i kishte takuar zëvendës-kryeministrit të qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ishte takuar në Sao Tome me kryeministrin e këtij shteti, Dr. Patrice Emery Trovoada, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Manuel Salvador Dos Ramos.
Burime të tjera bëjnë të ditur për Top Channel se ish-kryeministri i Sao Tomes, Patrice Emery Trovoada, menjëherë pas largimit nga pushteti, u ka nisur menjëherë një letër fuqive të mëdha, nëpërmjet së cilës i njofton ata për vendimin për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Top Channel