Kanada, akulli “ngujon” balenat vrasëse

10/01/2013 03:10

Një fshat peshkimi në periferi të Quebec-ut, i ka kërkuar ndihmë qeverisë së Kanadasë për të shpëtuar një duzinë balenash vrasëse, të “ngujuara” në një zgjatim të gjerë akulli në brigjet e gjirit Hudson.

Banorë të Inukjuak, rreth 1500 km në veri të Montreal-it, thanë se balenat janë duke marrë ajër përmes një vrime në akull. “Fisheries and Oceans Canada” (FOC) bëri të ditur se do të dërgojë një ekip gjatë së enjtes, për të vlerësuar situatën.

Një gjuetar i zonës, i dalloi balenat gjatë së martës, një ditë pasi autoritetet lokale njoftuan se ujrat e gjirit kishin ngrirë. Disa fshatarë bënë një udhëtim me motorrë bore për rreth 1 orë gjatë së martës, për t’i vëzhguar nga afër balenat.

“Duket se herë pas here, ato përfshihen nga paniku”, tha kryebashkiaku i Inukpuk për mediat vendase. “Ndërsa, në momente të tjera duket sikur zhduken për një kohë të gjatë, me shumë mundësi në kërkim të ndonjë hapësire tjetër në shtresat e akullta, gjë që me sa duket nuk po e gjejnë”.

Një zyrtar i sigurisë publike tha se balenat mund të mos kenë qenë në këtë zonë gjatë janarit. “I kemi parë këto lloj balenash vetëm gjatë verës, kurrë më parë në dimër”, tha Simeonie Nalukturuk.

Disa fshatarë thanë se zona në fjalë duket se po zvogëlohet nga momenti në moment, pasi akulli po ngrin edhe më tepër. Zoti Inukpuk ka kërkuar për një makinë akullthyese për të shpëtuar balenat, ndërsa FOC duket se është ende në fazën e vlerësimit të situatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA