Japonia, 180 miliardë euro për ekonominë

10/01/2013 00:00

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka miratuar paketën e re të “masave
urgjente” ekonomike, që arrin një kosto prej 20 mijë miliardë jen, ose
rreth 180 miliardë euro.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat japoneze, sipas të cilave paketa e re e masave synon të nxjerrë ekonominë e vendit nga inflacioni.

Paketa, e para e hartuar nga ekzekutivi i Abe, do të shqyrtohet të premten nga këshilli i ministrave, bazuar në një kuotë fillestare prej 10.300 miliardë jen burime të freskëta financiare, të vëna në dispozicion nga qeveria.

Ekonomia japoneze vazhdoi rënien për tremujorin e dytë radhazi të vitit 2012, duke u konsideruar tashmë zyrtarisht në reçesion.

Të dhënat e rishikuara të Zyrës Japoneze të Statistikave treguan se Prodhimi i Brendshëm Bruto i ekonomisë së tretë më të madhe në botë është tkurrur me 3.5% në simestrin korrik-shtator.

Nga prilli në qershor, ekonomia kishte përjetuar gjithashtu një rënie prej 0.1%. Sipas përcaktimeve të ekonomistëve, një ekonomi duhet të regjistrojë dy tremujorë radhazi negativë, që të konsiderohet në reçesion.

Aktualisht, ekonomia japoneze është duke vuajtur nga borxhi i lartë qeveritar, që ka kufizuar investimet në vend, rënia ndërkombëtare e fuqisë blerëse dhe bojkoti jozyrtar që i është bërë nga Kina për shkak të përballjes mbi sovranitetin e disa ishujve.

Sipas ekonomistëve, vendi ka paguar shtrenjtë edhe koston e rindërtmit nga tërmeti dhe tsunami shkatërrues i një viti më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB