Draghi: Rritje e dobët ekonomike

10/01/2013 00:00

Kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi u bëri thirrje vendeve të Eurozonës të vazhdojnë në rrugën e tyre të reformave dhe të mos mendojnë se kriza është lënë pas krahëve.

Megjithatë, në konferencën e parë për mediat për 2013-ën, kreu i BQE-së shtoi se situata është përmirësuar, më e keqja ka kaluar dhe se inflacioni përllogaritet të jetë nën 2 përqind për këtë vit. I vetmi rrezik për rritjen e tij, shtoi Draghi, është cmimi i karburanteve.

“Qeveritë e Eurozonës duhet të vazhdojnë me reformat, sidomos me ato në tregun e punës dhe atë të shërbimeve që ekonomia të jetë sa më kompetitive e Prodhimet e Brendshme Bruto të rriten”, tha ai.

Alarmin për papunësinë e ka dhënë e Jean-Claude Juncker, Presidenti i Eurogrupit, i cili thotë se vendet e zonës së monedhës së përbashkët po nënvlerësojnë rrezikun që u kanoset nga ky fenomen.

“Jemi duke nënvlerësuar tragjedinë e madhe që quhet papunësi. Kjo po na shtyp”, tha Juncker duke hedhur më pas idenë e miratimit të një page dysheme në të gjithë Eurozonën për të rritur besueshmërinë e institucioneve europiane në sytë e klasës punëtore”, shtoi ai.

Po përkundër Draghi-t, ai mendon se e keqja nuk është hedhur pas krahëve.

“Nuk duhet t’u krijojmë përshtypjen njerëzve se e keqja është hedhur pas krahëve sepse kemi ende shumë punë për të bërë, shumë vendime të vështira na presin përpara”, deklaroi kreu i Eurogrupit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB