Në Bruksel po mbahet takimi i nivelit teknik për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
“Sot kemi takimin e ekspertëve, që mbahet në Bruksel në kuadër të ndjekjes së zbatimit të marrveshjes së pikëkalimeve nga grupet e punës. Ata do të rishohin se çfarë është bërë, sa i takon zbatimit të kësaj marrëveshjeje, si dhe do të përgatisin terrenin për dialogun e nivelit të lartë, që do të mbahet në Bruksel javën e ardhshme, më 17 janar. Ata do të diskutojnë gjithashtu edhe mbi doganat, siç u ra dakord mes dy kryeministrave në takimin e fundit, të 4 dhjetorit në Bruksel. Ne presim që takimi i ekspertëve të zgjasë më shumë se një ditë”, tha Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së.
Palët po bisedojnë me dyer të mbyllura në selinë e Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Kosova përfaqësohet ende nga zëvendës-kryeministrja Edita Tahiri, ndërsa Serbia me juristin Dejan Paviçeviç.
Anëtar i Partisë Demokratike të Tadiç dhe ish-shefi i kabinetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Paviçeviç u emërua në shtator 2011 si kryenegociator i Beogradit, duke zëvendësuar në këtë detyrë drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme, Borko Stefanoviç.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel