Australi, zjarrfikësit në garë me motin

10/01/2013 00:00

Skuadrat e zjarrfikësve në jug-lindje të Australisë po nxitojnë të vënë nën kontroll zjarret masive përpara se temperaturat të ngrihen dhe erërat të fillojnë sërish.

Mbi 100 zjarre janë ende aktive dhe po djegin sipërfaqe të tëra në Nju South Uells, duke rrafshuar rreth 300 mijë hektarë tokë.

Një zjarr ka rënë në afërsi të një ish-baze ushtarake në të cilën ndodhen bomba të pashpërthyera, bën të ditur BBC online.

Moti i ftohtë dhe me shi solli njëfarë lehtësimi, por parashikuesit paralajmërojnë për një valë të re të nxehti në fundjavë.

Temperaturat po ngrihen në Kuinslend, ku një sipërfaqe e gjerë me shkurre ndodhet nën zjarr, në Ishullin Brajbi, në veri të qytetit Brisban.

Ndërsa në Nju South Uells, autoritetet lokale thanë se ekipe zjarrfikësish kanë punuar për të përfituar nga moti i ftohtë i shoqëruar me shira.

“Kushtet e ftohta meteorologjike kanë ndihmuar zjarrfikësit në terren për të hyrë në zona të vështira dhe për të vënë nën kontroll disa vatra zjarresh”, ka thënë një drejtues lokale për ABC News.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që të shfrytëzojmë këto kushte, por jemi të vetëdijshëm se në ditët e mbetura të javës i nxehti do të kthehet”, ka shtuar zyrtari.

Të paktën 17 zjarre vazhdojnë të jenë të paprekura në Nju South Uells, me rastet më të këqija që janë në qytetet Jas, Suseks Inlet dhe Kuma.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB