Gjykata e Lartë e Venezuelës vlerësoi se shtyrja e betimit të presidentit Hugo Chavez është e ligjshme.
Më herët Asambleja Kombëtare votoi për t’i dhënë Chavez kohën e nevojshme që do t’i duhet për të marrë veten nga ndërhyrja e fundit kirurgjikale.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Luisa Esteja Morales tha se do të ishte “absurde” ta konsideronin kurimin e Chavez në Kubë si “një mungesë të paautorizuar”.
Ajo tha se betimi mund të zhvillohet në një datë tjetër, ashtu siç e sugjeron dhe Kushtetuta e vendit. Morales lexoi vendimin e shtatë gjyqtarëve që merren me çështjet kushtetuese. Sipas saj, ka një dallim të qartë mes aktit të betimit dhe nisjes së mandatit të ri.
“Gjykata e Lartë e konsideron betimin një formalitet të rëndësishem, por jo të domosdoshëm për nisjen e mandatit të ri presidencial”, tha ajo. Opozita deklaroi se mandati i Chavez përfundon më 10 janar, ditën që ai duhet të bëjë betimin.
Top Channel