Presidenca kosovare, duke komentuar platformën serbe për Kosovën, ka deklaruar se ky dokument është vetëm për “konsum të brendshëm” dhe nuk do të paraqitet në dialogun dypalësh.
“Axhenda e dialogut është hartuar në harmoni me Brukselin dhe në pajtim të plotë mes palëve. Kosova është shtet i pavarur e sovran, me kufijtë e saj që janë njohur ndërkombëtarisht”, ka thënë zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu.
“Për çështjet e brendshme të Kosovës nuk do të bisedohet asnjëherë dhe me askënd, aq më tepër me Republikën e Serbisë”, ka vijuar zëdhënësi i presidentes Jahjaga.
Deklarata e tij ka ardhur pas njoftimeve se qeveria e Serbisë ka miratuar platformën për Kosovën, në të cilën thuhet se ajo është pjesë e Serbisë dhe kërkohet një autonomi për serbët e veriut.
Vllahiu është përgjigjur duke thënë se, të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë janë të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e saj.
“I kemi bërë thirrje presidentit Nikoliç, që në ditën e zgjedhjes së tij, që të bëjë atë që nuk e kanë bërë parardhësit e tij, të pranojë realitetin e krijuar në Kosovë”, ka thënë Vllahiu.
Ai ka shtuar se vetëm me njohjen e pavarësisë mund të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat aspirojnë anëtarësimin në BE.
Top Channel