Kriza europiane, më pak lindje, më shumë aborte

09/01/2013 16:20

Kriza ekonomike në Europë ka ndikime të thella edhe në demografinë e kontinentit, raportoi të mërkurën e përditshmja polake “Wiadomosci”, duke iu referuar të dhënave zyrtare të Institutit Europian të Statistikave “Eurostat’.

Vështirësitë ekonomike kanë bërë që në vitet e fundit të vërehet një rënie e lindshmërisë, shoqëruar me një rritje të numrit të aborteve.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2011, në të gjithë vendet e BE-së lindën 200 mijë fëmijë më pak se sa përpara fillimit të krizës, në 2008-n.

Në vendet më të prekura, si Greqia, janë përmbysur normat morale dhe fetare, ndërsa në vitet 2010-11, numri i shtatzanive të ndërprera në mënyrë të ligjshme është rritur me 50%.

Midis 27 vendeve të BE-së dhe tetë vendeve të tjera europiane për të cilat “Eurostat” grumbullon të dhëna, vetëm në katër ka pasur një rritje të numrit të lindjeve në dy vitet e fundit, në Turqi, Britaninë e Madhe, Zvicër dhe Sllovaki.

Megjithatë, edhe në ato vende ku numri i lindshmërisë është në rritje, problematike mbetet pamundësia e kapjes së normës së “zëvendësimit natyror”.

Në mënyrë që popullsia të ruajë të njëjtin nivel, çdo grua duhet të lindë mesatarisht 2,1 fëmijë, që quhet edhe “norma e zëvendësimit natyror”.

Për shkak të pamundësisë për të arritur këtë kuotë në pothuajse të gjitha vendet e BE-së, zgjidhja e vetme për të ruajtur nivelet demografike duket se është emigracioni, pavarësisht rreziqeve që ai mbart për shkak të problemeve sociale dhe rrezikut të humbjes së identitetit kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA