
Shoqata e Hidrokarbureve kundërshton transferimin e kontrollit të
cilësisë së karburanteve tek kompania austriake ‘Global Fluids
International’, pasi kjo krijon treg monopol në atë që quhet markim dhe
monitorim i karburanteve.
Me hyrjen në fuqi të kontratës me Qeverinë shqiptare, kompania do të përfitojë 6.5 euro për cdo ton karburant që qarkullon në Shqipëri, shifër shumë herë më e lartë se në vendet evropiane. Kjo do të rëndojë në xhepat e qytetarëve shqiptarë përmes rritjes së çmimit të karburantit, që në bazë të një përllogaritje paraprake do të jetë 10 deri në 20 lekë për litër.
“Kompania që ka ardhur në Shqipëri dhe pritet që të nënshkruajë së shpejti kontratën krijon një treg monopol përsa i përket markimit dhe monitorimit, madje edhe tarifat e vendosura prej saj, në negociata me Ministrinë e Financave janë tarifa të pagjendura në asnjë prej katalogjeve të këtyre kompanive. Shkon për një ton rreth 6 euro deri 6.5 euro një tarifë, ndërkohë që në vendet e BE-së kjo tarifë nuk kalon 0.1 dollar për ton. Nga llogaritjes paraprake është vërtetuar që mund të shtohet cmimi i karburantit për çdo litër të shitur për efekt të tarifës duhet të paguhet për markimin dhe monitorimin e karburanteve”, tha koordinatori i Shoqatës së Hidrokarbureve, Bardhi Sejdarasi.
Për Shoqatën e Hidrokarbureve transferimi i kontrollit të cilësisë së karburanteve tek kompania austriake nuk zgjidh çështjen e cilësisë, pasi kompania nuk ka të drejtë të penalizojë direkt kompanitë që kanë probleme të përzierjes së hidrokarbureve. Shoqata kërkon ndryshimin e ligjit mbi të cilin funksionojnë entet shtetërore, kur kompanitë nuk respektojnë standardet.
“Ministria e Financave duhet të ndërhyjë për të korrigjuar ligjin dhe vendimin mbi të cilat funksionon Inspektoriati Qendror Teknik dhe Drejtoria e Metrologjisë, me qëllim që kompanitë që abuzojnë në treg me cilësinë dhe me sasinë të ndëshkohen jo vetëm me gjoba, por të ndëshkohen nga konsumatori, që ai mos t’i drejtohet atyre pikave dhe ato të detyrohen standardet ose të mbyllin veprimtarinë e tyre ekonomike, të bëjnë publik emrin e kompanisë apo të shoqërisë, e cila ka shkelur këtë standard”, thotë Sejdarasi.
Përmes një letre, shoqata i ka kërkuar Ministrisë së Financave të rishikojë kontratën me kompaninë koncensionare, ndërsa Autoritetit të Konkurrencës të hetojë monopolin që krijon shoqëria austriake në tregun e kontrollit të cilësisë së karburanteve.
Top Channel