Instituti grek i statistikave publikoi të dhënat shokuese të 2011-ës përsa i përket numrit të personave që janë të zhytur në varfëri.

Sipas raportit të fundit të këtij instituti, rreth 3.4 milion grekë, thënë ndryshe thuajse 33 përqind e popullsisë prej rreth 11 milion të Greqisë, jetojnë në varfëri. Sa i përket papunësisë, edhe kjo në rritje me shifra alarmante për shkak të masave shtrënguese anti-krizë të qeverisë së Athinës, në 2011 janë numëruar 979 mijë të papunë.

Të dyja këto shifra janë një pasqyrim i situatës së rëndë ekonomike nëpër të cilën po kalon fqinji ynë jugor. Shifra e personave të zhytur në varfëri dhe ajo e të papunëve nga 2010 në 2011 është rritur drastikisht. Në 2010 rreth 3 milionë grekë ishin të varfër përkundrejt 3.4 milion në 2011, ndërsa të papunë në 2010 numëroheshin 619 mijë.

Opozita e majtë dhe analistët në Athinë deklaruan se këto të dhëna janë treguesi i qartë se masat anti-krizë po godasin vetëm shtresën e varfër dhe atë të mesme, ndërsa të pasurit, biznesmenë dhe politikanë janë të paprekur prej tyre.

Top Channel