Urooj Kan besonte se ishte një njeri me fat. Më 26 qershor të vitit 2012, ai ndaloi në një pikë karburanti në Çikago, ku bleu një biletë të lotarisë “gërvisht e fito” dhe, nga një veprim i thjeshtë, mori 450 mijë dollarë.
Pasi i dha një bakshish jo të vogël shitësit, u nis për në shtëpi për të festuar me të shoqen, Shabana, vajzën, Xhazmine, dhe një grup miqsh. Ai vendosi që të investonte pjesën më të madhe të parave në zinxhirin e lavanderive në pronësi të tij, ndërsa pjesën e mbetur në bamirësi.
Por, historia e Kan mori një tjetër rrjedhë. Më 27 qershor ai u gjet i pajetë. Një ndodhi e beftë dhe e pashpjegueshme për Urojin, që gëzonte shëndet të mirë.
Mjekët folën për shkaqe natyrore. Pas dyshimeve të një të afërmi, një mjek ligjor kreu testet toksikologjike dhe zbuloi se Kan ishte helmuar me cianur. Çështja u rihap dhe policia e Çikagos po heton për të zbuluar se kush ishte vrasësi i tij.
Ngjarja në Çikago vjen disa ditë pas dënimit të Doris Mur, nga Florida, e akuzuar për vrasjen e Abraham Shekspir. Zanafilla e krimit ishte plani për t’i rrëmbyer atij dhjetra milionë dollarë, që i kishte fituar në llotarinë e vitit 2006.
Top Channel