I dërguari special i sekretarit të përgjitshëm të OKB-së, Matheu Nimiç është rikthyer pas disa muajsh në Athinë në një përpjekje të re për të gjetur një zgjidhje për çeshtjen ende pezull për dy dekada, atë të emrit të fqinjit verior të Greqisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Por e veçanta e kësaj vizite është se, përveç ministrit të Jashtëm Avramopulos, ai ka takuar edhe kryeministrin Samaras, i cili ka shkuar papritmas në selinë e Ministrisë së Jashtme, duke bërë që të qarkullojnë skenare se ka një propozim të ri të rëndësishëm prej tij, për t’u dëgjuar nga Athina dhe Shkupi.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke thuhet se, zoti Avramopoulos ka përsëritur se Athina vazhdon t’i qëndrojë me rigorozitet zgjidhjes politike të çështjes, gjithnjë në kuadrin e një emri me përcaktim gjeografik.
Informacione të pakonfirmuara në qarqe të ndryshme politike bëjnë me dije se Greqia vërtet që do të mbetet e palëkundur në çështjen e emrit, por mund të bëjë lëshime përsa i përket përcaktimit të emërtimit të gjuhës dhe të kombësisë, informacione këto që ende nuk dihet nëse përbëjnë idetë e reja që solli zoti Nimiç.
Vlen të përmendet se tre tentativat e fundit për zgjidhjen e emrit janë sjellë rreth emrave “Demokracia e Maqedonisë së Veriut”, ”Demokracia e Maqedonisë së Vardarit” dhe “Demokracia e Maqedonisë së Epërme”, por asnjë prej tyre nuk është pranuar nga fqinjët e Greqisë.
Përpjekja e zotit Nimiç, që viziton Shkupin të enjten dhe të premten, ndodh në një kohë kur kriza politke në Maqedoni thellohet çdo ditë e më shumë, ndërsa presioni i BE-së është gjithnje e më i madh.
Por, siç shprehen mediat greke, të gjitha idetë e reja do të duhet të marrin aprovimin e kryeministrit Gruevski, që ngelet i palëkundur për vite me radhë në qëndrimin e tij dhe konsiderohet i paparashikueshëm si aktor politik.
Nga ana tjetër, Athina ka një armë të fuqishme në dorë pasi Komisioni Europian është pozicionuar pro saj, duke e shprehur këtë me mosdhënien Shkupit të datës për fillimin e negociatave integruese në BE, pa gjetur gjuhën e përbashkët me Athinën për këtë çështje.
Top Channel