I dërguari i kombeve të bashkuara dhe Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi, në një intervistë për BBC tha se me fjalimin e tij të fundit, presidenti sirian humbi shansin për ta zgjidhur krizën në Siri.
Diplomati veteran algjerian pranoi se qëndrimet aktuale të qeverisë dhe opozitës siriane dëshmojnë se nuk ekziston një proces politik. Brahimi deklaroi se do të përqendrohej në sheshimin e dallimeve mes aktorëve kryesorë të huaj dhe do të punojë që sirianët të pranojnë vetëm një zgjidhje politike.
Ai konfirmoi se Assad i kishte thënë atij, gjatë takimit të fundit më 24 dhjetor, për rikandidimin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2014 në Siri. Megjithëse zgjedhjet janë larg, tha ai, njerëzit besojnë se janë shumë 40 vjet që familja Assad po drejton vendin.
Të premten Brahimi do të takohet me përfaqësuesit e SHBA-ve dhe Rusisë në Gjenevë, në përpjekje për të çuar përpara planin e paqes, të hartuar nga grupi i veprimit për Sirinë.
Në qershor, ky organizëm bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, ndalim të çdo akti dhune dhe ngritjen e një qeverie tranzitore, që do të përfshijë zyrtarë sirianë si dhe anëtarë të opozitës.
Të mërkurën 48 iranianë të mbajtur peng nga kryengritësit sirianë prej muajit gusht, u lanë të lirë në shkëmbim të 2130 civilëve, të ndaluar nga autoritetet e vendit. Lirimi i tyre erdhi pas përpjekjeve diplomatike, që vazhdonin prej muajsh, në të cilat u përfshinë Katari, Turqia dhe Fondacioni i Ndihmës Humanitare, një agjenci turke.
Kryengritësit thanë se iranianët u kapën për ndihmën që i jepnin ushtrisë siriane, por Teherani këmbënguli se ata ishin pelegrinë shiitë.
Top Channel