Një freskim i motit në jug të vendit i ka dhënë më shumë “frymëmarrje” Australisë, teksa grupet e zjarrëfikësve janë ende duke luftuar me zjarret në disa shtete.
Temperaturat në New South Wales kanë rënë me 10 gradë celcius, pas ditëve më përvëluese në historinë e vendit, duke rrezikuar banorët nga zjarret. Megjithatë i nxehti pritet të rikthehet sërish në fundjavë, ndërkohë që zjarri po përhapet nëpër vatra të reja, sipas autoriteteve vendase.
Zjarret kanë shkatërruar ndërtesa në New South Wales, Victoria dhe Tasmania. Zjarrëfikësit në Queensland janë duke monitoruar nga afër kushtet në shtetet jugore, teksa moti i nxehtë po shkon drejt brigjeve detare. Temperaturat parashikohen të arrijnë 40 gradë në disa pjesë.
Ndërkohë që termometrat shënuan 40 gradë në Sydney gjatë së martës, parashikuesit e motit thonë se të mërkurën temperaturat do arrijnë maksimumi 25 gradë.
Shërbimi rural i zjarrëfikësve (RFS), në New South Wales, ka ulur vlerësimin e gjendjes së zjarreve përreth shtetit, pas ndryshimeve favorizuese të motit gjatë natës.
Top Channel