Si festuan shqiptarët Vitin e Ri

08/01/2013 17:10

Festa e fundit të vitit është një pikë kulmore për të gjithë. Bëhen bilance, por edhe festime dhe këtu të pashmangshme janë traditat dhe sigurisht shpenzimet, pra paratë.

Zakonisht gropa e shpenzimeve ndihet në fillim të janarit kur na del edhe të pirit dhe realiteti mund të mos jetë shumë rozë. Përsa i përket festimeve këtë vit, ato tradicionalet në shtëpi ishin mënyra kryesore të cilën preferuan shqiptarët.

Prej vitesh një tendencë gjithnjë e në rritje është të festuarit pranë restoranteve apo hoteleve të njohura në vend. Një mënyrë pak a shumë arsitokrate të festuari, por duket se ky vit nuk i shpëtoi krizës ekonomike. Zak Topuzi, kryetar i sektorit hotelier në Shqipëri, tregon se si u festua nata e ndërrimit të viteve në restorantet e kryeqytetit.

“Pak a shumë ishte i njëjti numër si vitin e kaluar në restorantet dhe hotelet e konsoliduara, të tjerat kanë pasur ulje të prenotimeve. Cmimet ishin pak më të ulëta, ndërsa menuja është pak a shumë standarte.”

Por ka nga ata që preferojnë ta presin vitin e ri jashtë Shqipërisë. Kryetari i Unionit të Operatorit Turistik, Sadik Malaj, tregon se çdo vit e më shumë shtohet numri i personave që zgjedhin udhëtimet turistike për festat e fundvitit: “Ka pasur një rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar.”

Në stinën e dimrit më të preferuarat janë udhëtimet në vendet malore, por nuk mbeten pas edhe vende ekzotike ku këta muaj është stina e verës: “Kryesisht Mavrova dhe Kolashina, por edhe në Dubai kishte shumë kërkesa, trefish më shumë se vitin e kaluar.”

Një tendencë që po vjen gjithnjë e në rritje është të festuarit në pub-e, ku muzika dhe argëtimi është në një nivel shumë të lartë. Artan Kurti tregon se janë kryesisht të rinjtë që zgjedhin këto ambiente. Megjithatë, sipas tij, këtë vit ata ishin më dorështrënguar dhe harxhuan më pak lekë se një vit më parë: “Ka një rënie të dukshme. Nëse më parë pinin 3-4 birra për person, ndërsa këtë radhë vetëm nga një.”

Kthimi i emigrantëve për festat

Kohët kur festat e fundvitit kishin një mënyrë tradicionale të festuari duket se kanë përfunduar. Tashmë, me lëvizjen e lirë të njerëzve, “eksporti” dhe “importi” i kulturave është plotësisht i mundur, duke bërë që shumë pranë nesh të shfaqet në të gjitha trajtat e saj Perëndimi.

Shumë familje që jetojnë në emigracion bashkohen me të afërmit e tyre kryesisht një herë në vit, por sa ndryshon kulturalisht gjatë këtij takimi mënyra jonë e të festuarit, me stilin “jo shqiptar” që na seviret nga familjarët tanë “perëndimorë”?

Elmaz Oparaku së bashku me bashkëshorten e tij, Divin, janë një çift pensionistësh. Ata kanë tre fëmijë që jetojnë jashtë Shqipërisë, përkatësisht në Austri, Amerikë dhe Gjermani. Familja e shpërndarë në dy kontinente, kur takohet, vë re jo pak diferenca kulturore në mënyrën e të festuarit që fillojnë nga shtrimi i tryezës së festave, muzika që dëgjohet e deri tek ëmbëlsirat e veçanta të servirura tradicionalisht.
 
“Më datë 25 dhjetor bëjmë darkën e madhe. Ne në Shqipëri i japim prioritet Vitit të Ri, por fëmijët kthehen më 25 dhjetor dhe festojmë më shumë atë ditë.”
 
Cifti ka shkuar shumë herë në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, ku kanë patur mundësi të shohin si festohen në dy kontinente. Edhe pse mosha nuk jua lejon që të jenë të përditësuar me vlerat e reja kulturore, Elmazi dhe Divi janë përshatur më së miri dhe madje me mburrje shprehen se janë banorë të një bote globale.
 
Përpjekja për tu përshtatur me vlerat e sjella nga emigrantët, sigurisht që i afron shqiptarët më shumë me vendet europiane ku ata jetojnë, por nga ana tjetër bota është bërë gjithmonë e më shumë një “fshat global” ku kulturat i përafrohen njëra-tjetrës dhe pashmangshmërisht i ngjajnë njëra-tjetrës.Gjithashtu, çdo kulturë ka rregullat e saj të sjelljes, të cilat doemos duhen njohur dhe respektuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA