
Ministria e Ekonomisë mendon se raporti i paraqitur në Komitetin e
Jashtëm të Senatit Amerikan, në lidhje me rrugët e gazit në Europë nuk i
dëmton shanset e gazsjellësit transadriatik, që kalon përmes
Shqipërisë.
“Ai nuk ishte një qëndrim i Qeverisë amerikane, ishte një analizë e mirëfilltë që e bëjnë shpeshherë Senati Amerikan, Kongresi Amerikan dhe pjesë të ndryshme të administratës, ai ishte një rekomandim, pra duhet ta lexojmë pak më thellë dhe më mirë. Qeveria amerikane mbështet diversifikimin e burimeve të energjisë në Bashkimin Evropian nëpërmjet zonave të detit Kaspik. Pastaj është çështje e garës dhe e transparencës se cili do të jetë projekti fitues”, tha Dorian Duçka, drejtor i Projekteve Ndërkombëtare në këtë Ministri.
Drejtori i Projekteve Ndërkombëtare në Ministrinë e Ekonomisë thotë se më shumë se nga lobimet ato që do të përcaktojnë se cili nga projektet do jetë fitues janë interesat ekonomike, ku gazsjellësi Transadriatik është qartësisht më superiror se rivali Nabucco.
“Përparësitë e projektit TAP janë se ai është një projekt komercial dhe ekonomik. Ana më strategjike është edhe ana më ekonomike, pasi Bashkimi Evropian dhe konsumatorët e vet do të përfitojnë gaz natyror me çmim më të ulët, kur le ta quajmë gjatësia e gazsjellësit do të jetë më e shkurtër dhe do të ketë mundësi të ndërtohet më shpejt se ai i rivalit të vet”, tha Duçka.
Për këto arsye Qeveria beson se projekti me shanset më të mëdha për të fituar në vendimin që do të merret në gjashtë muajt e parë të këtij viti do të jetë pikërisht gazjsellësi që kalon përmes Shqipërisë.
“Ishte projekti TAP, ai i cili u quajt si projekti i parë fitues, le të themi shkoi në finale i pari dhe pavarësisht se ka qenë një ndër projektet më të reja ka avancuar mjaft. Unë mendoj se shanset janë më të mëdha për projektin transadriatik si fitues”, theksoi Duçka.
Pak dite më parë, Richard Lugar një senator i njohur amerikan në ikje paraqiti para Senatit një raport, ku i bënte thirrje qeverisë amerikane të lobonte për projektin Nabucco, i cili sipas tij është strategjikisht me superiorë për interesat gjeopolitike të SHBA-së.
Top Channel