Kinë, protesta kundër censurës

08/01/2013 00:00

Media të ndryshme kineze kanë dalë në mbështetje të gazetarëve të një së përjavshmeje, e përfshirë në një debat për censurën.

Portalet e lajmeve kanë kritikuar manipulimin e një editoriali të gazetës “Southern Weekly”, duke hedhur poshtë zërat se nuk ndajnë të njëjtin vizion me kolegët e tyre.

Ndërkohë, gazetarë të gazetës së përfshirë në këtë debat kanë nisur bisedimet me autoritetet e propagandës për të zgjidhur problemin.

Konflikti filloi kur një editorial që bënte thirrje për garantimin e të drejtave kushtetues u ndryshua nga drejtori i gazetës para se të publikohej.

Stafi i së përjavshmes shkroi një letër ku kërkonte dorëheqjen e shefit të propagandës, Tuo Zhen. Përplasja u ndez edhe më shumë kur në një mikroblog të gazetës u shfaq një mesazh ku mohohej ndryshimi i artikullit.

Shumë anëtarë të stafit u hodhën në grevë dhe një numër i konsiderueshëm personash protestuan jashtë zyrave të saj.

Ditën e martë, një editorial i gazetës shtetërore “Global Times” u ripublikua në faqe të reja interneti, në bazë të direktivave qeveritare.

Autoritetet lokale deklarojnë se nuk janë ato prapa modifikimit të artikullit dhe akuzojnë aktivistët mediatikë jashtë Kinës për nxitje të disa mediave që të dalin kundër shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB