Itali, abuzim me ndihmën e tërmetit

08/01/2013 16:00

Tetë persona do të përballen me drejtësinë në Itali, me dyshimin se abuzuan me ndihmën shtetërore, akorduar të prekurve nga tërmeti i vitit 2009 në Akuila.

Në të shkuarën ka pasur kritika të përsëritura ndaj autoriteteve për vonesat në rindërtimin e qytetit, por kjo është hera e parë që nëpunës të administratës të shtetit vihen nën hetim.

Rreth 40 efektivë policie realizuan gjatë të mërkurës një seri kontrollesh të imtësishme në banesat e të pandehurve, katër prej të cilëve janë vendosur në arrest shtëpie, ndërsa katër të tjerët po ndiqen në gjendje të lirë.

Në bazë të dyshimeve aktuale, besohet se deri në dy milionë euro janë devijuar nga fondet e rindërtimit dhe ndihmës për viktimat, në xhepat e të akuzuarve. Njëri prej të akuzuarve, nënkryetari i bashkisë, Robert Riga, ka mohuar çdo akuzë.

Një qytet me 65 mijë banorë, 100 kilometra në veri të Romës, Akuila u trondit në 6 Prill 2009 nga një tërmet i fuqishëm, i cili i kushtoi jetën mbi 300 personave, ndërsa la të pastrehë me mijëra të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA