Ndryshimet në administratën Obama

07/01/2013 00:00

Senatori John Kerry, që do të zëvendësojë Hillary Clinton në krye të Departamentit të Shtetit, Chuck Hagel me shumë gjasa Sekretar i Mbrojtjes dhe John Brennan, kreu i ardhshëm i CIA-s pritet të jenë 3 emrat në postet kyçe të sigurisë së SHBA-së që do të shoqërojnë presidentin Obama në mandatin e tij të dytë.

Senatori republikan, Chuck Hagel, një veteran i luftës në Vietnam do të jetë Sekretari i ardhshëm i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara duke zëvendësuar kreun aktual të këtij Departamenti, Leon Panetta.

Zërat për një emërim të tij në krye të mbrojtjes amerikane kanë përçarë republikanët. Disa prej tyre, kritikojnë këtë zgjedhje të administratës Obama duke e lidhur atë me qendrimet e Hagel, senator i dalë nga Nebraska, karshi Izraelit. Ai kritikohet për “qendrim” armiqësor ndaj Izraelit dhe “të butë” ndaj Iranit.

Hagel është shprehur kundër ndërhyrjes ushtarake në Iran dhe mbron idenë e përfshirjes së Teheranit në bisedimet për paqen në Afganistan.

Më herët zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë publikuan edhe emrin e kreut të CIA-s, vend i mbetur bosh pas largimit të David Petraeus, gjeneralit që u përfshi në një skandal seksual. Pasuesi i tij me shumë gjasa do të jetë John Brennan.

Brennan, një besnik i presidentit Barack Obama, ka qenë në këto vite këshilltari i tij për sigurinë kombëtare dhe për luftën kundër terrorizmit. Por ai ka edhe një të kaluar si agjent në Langley dhe është gjithashtu një nga arkitektët e ekspansionit të përdorimit të avionëve të telekomanduar në Pakistan dhe Jemen.

Që të marrin detyrën, të dy këta emra duhet të kalojnë për konfirmim në Senat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB