Ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timmermans, i kërkoi vendeve të Bashkimit Europian që të “ndryshojnë kursin” e marrëdhënieve me Kubën.
Në mendimin e ministrit, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në ishullin komunist, mënyra më e mirë për të nxitur ndryshime në Kubë është dialogu dhe jo izolimi.
Brukseli ka vendosur kufizime në marrëdhëniet politike dhe shkëmbimet ekonomike me Havanën, me qëllim që të inkurajojë lejimin e një sistemi pluralist në vend, së bashku me ndryshime përsa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut.
Vizita e Timmermans është e para e një zyrtari holandez që prej revolucionit të vitit 1959, të udhëhequr prej FIdel Castos dhe Che Guevarrës.
Sipas të përditshmes “Juvendud Rebelde”, Timmermans i kërkoi autoriteteve komuniste reforma të rëndësishme në ekonomi, të cilat sipas kryediplomatit holandez do të shërbejnë për të përmirësuar të drejtat e njeriut dhe shanset për më shumë investime në ishull.
Bashkimi Europian ka vendosur një grup sanksionesh dhe rekomandimesh që prej vitit 1996, të cilat Kuba i shpërfill me argumentin se përbëjnë një “ndërhyrje në punët e saj të brendshme”.
Pavarësisht sanksioneve, BE luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kubës, nëpërmjet miliona turistëve europianë që vizitojnë çdo vit vendin.
Top Channel