Bahrein, burgoset “Pranvera Arabe”

07/01/2013 00:00

Gjykata e Lartë në Bahrein la në fuqi vendimin që dënon nga 5 deri në burgim përjetë 13 të arrestuarit gjatë protestave të 2011-ës.

Si shumë vende të botës arabe, edhe Bahreini u përfshi nga vala e asaj që u quajt “Pranvera Arabe” që nisi me Tunizinë, Algjerinë dhe Egjiptin e vazhdon akoma me Sirinë. Por në Bahrein këto protesta nuk gjetën mbështetjen e duhur, ndërkohë që në shtypjen brutale të manifestuesve morën pjesë forca policore dhe ushtarake nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

13 të ndaluarit akuzohen për prishje të rendit dhe shkatërrim të pronës publike. Në vendimin e shpallur në fillim të 2012-ës nga një gjykatë me e ulët, Departamenti i Shtetit deklaroi se ndjehej i shqetësuar për masën e ashpër të dhënë.

Edhe Amnisty International reagoi me një raport për protestat në vendin e vogël arab që është edhe bazë e rëndësishme e Flotës së Pestë Ushtarake amerikane. Në këtë raport, AI tha se dhuna e përdorur nga autoritetet ndaj protestuesve ishte e tepruar.

Një komision parlamentar hetimor vendas kritikoi gjithashtu autoritetet për reagimin e ashpër në protestat që zgjatën disa javë. Në përfundim të raportit të këtij komisioni thuhet se forcat e sigurisë duhet dhe mund të kishin shmangur vdekjen e dhjetra personave gjatë përleshjeve.

Bahreini u përfshi nga “Pranvera Arabe” në muajt e parë të 2011-ës nën shembullin e revolucioneve që përfshinë vendet e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme. Disa prej këtyre vendeve u janë rikthyer normalitetit, të tjera rrezikojnë të përfundojnë në sërish në pushtet autokrat si rasti i Egjiptit, ndërsa në Siri protestat masive në shesh më vonë u shndërruan në luftë civile që ende vazhdon e që u ka marrë jetën mbi 35 mijë personave deri më tani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB