Anija kërkimore ruse, “Akademik Shokalskiy” dhe akullthyesja kineze “Xue Long” arritën të çbllokoheshin nga “kurthi” i akullit në Antarktidë, ku qëndronin të bllokuar prej disa ditësh.
Kapiteni i anijes ruse informoi të martën se një e çarë u shfaq në akull pas ndryshimit të drejtimit të erës dhe se tentativat e përsëritura të ekuipazhit për të shpëtuar anijen, këtë herë rezultuan të suksesshme.
“Akademik”-u, me 22 anëtarë të ekuipazhit në bord, mbeti i bllokuar në akull në 25 Dhjetor.
Javën e shkuar, një helikopter shoqëroi 52 udhëtarët e ndodhur në akullthyesin kinez drejt një ishulli australian, pasi në tentativë për të shpëtuar anijen ruse, “Xue Long” mbeti për vete i bllokuar.
“Jemi duke ecur me shpejtësi të kufizuar dhe në mënyrë zig-zage, për të lehtësuar daljen nga zona e rrezikshme. Kemi arritur të përshkrojmë rreth 20 milje detare, që nga moment i bllokimit”, deklaroi kapiteni rus Igor Kiselyov, për agjensinë “Itar-Tass”.
Top Channel