Në prag të daljes së një raporti, ditën e hënë, për performancën e koalicionit qeverisës në Britani, kryeministri David Cameron ka lënë të kuptohet se ai do të qeverisë deri në vitin 2020, nëse fiton në zgjedhjet e ardhshme.
Duke folur për gazetën “The Sunday Telegraph” të Londrës, Cameron tha se ai synon të çojë përpara axhendën e reformave, ndërkohë u kërkoi kritikëve të koalicionit t’i japin fund ankesave.
Kryeministri britanik pritet, në javët e ardhshme, të mbajë një fjalim përcaktues për marrëdhëniet e Londrës me Bashkimin Europian. Për këtë çështje, Cameron theksoi se Britania ka një rol për të luajtur në Europë, por “ne nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si funksionon marrëdhënia për momentin, ndaj dhe kërkojmë ndryshim”.
Zgjedhjet e ardhshme në Britani zhvillohen në 2015, teksa konservatorët arritën të krijonin një qeveri koalicioni me liberal-demokratët, pas rezultatit shumë të ngushtë në zgjedhjet e kaluara.
Gjatë qeverisjes, për shkak të reformave të thella ekonomike, janë jo të paktë britanikët që janë prekur, çka ka shtuar pashmangshmërisht pakënaqësinë ndaj kësaj qeverie dhe të dy partive që janë në koalicion, sidomos ndaj partnerëve të tyre në koalicion, liberal-demokratët, që janë në pikat më të ulta të mbështetjes së publikut, sipas sondazheve të opinionit publik.
Rreziku për kryeministrin dhe partinë e tij konservatore, përveç të tjerave, vjen edhe nga forcimi i një partie tjetër mjaft euroskeptike që, nëse sondazhet do të përktheheshin në mandate, do të çonte në humbjen automatike të konservatorëve në zgjedhjet e ardhshme, duke lënë mënjanë diferencën që ata kanë aktualisht me Laburistët e opozitës.
Top Channel