Masakër e re në Aurora të Kolorados, qyteza që vitin e kaluar u bë skenë e vrasjes së 12 personave në një kinema, teksa transmetohej filmi “Batman”.
Sot, një person është mbyllur në një shtëpi me tre pengje. Policia ka ndërhyrë dhe e ka vrarë, por ka gjetur edhe kufomat e tre pengjeve.
Ngjarja ndodh në një kohë kur pjesa dërrmuese e popullsisë amerikane është ende e tronditur nga masakra e 14 dhjetorit në shkollën Sandy Hook, ku humbën jetën 27 persona.
Gjithashtu, të shokuar amerikanët i ka lënë edhe vrasja e pak ditëve më vonë e dy zjarrfikësve të cilët ranë në kurthin e një personi që i kishte vënë flakën shtëpisë, si dhe ajo e 4 personave në një shkëmbim zjarri në Pensilvani.
Presidenti Obama deklaroi pas masakrës së 14 dhjetorit se do të marrë masa për kufizimin e shitjes së armëve, nismë në të cilën ai po has rezistencën e fortë të biznesmenëve të armëve dhe lobit të tyre.
Përçarja e thellë kombëtare mbi çështjen e kontrollit të armëve në Shtetet e Bashkuara u duk qartë vitin e kaluar, kur kreu i grupit më të madh të lobimit pro-armëmbajtjes doli në konferencë për shtyp, ndërsa një pankartë ku shkruhej “NRA po vret fëmijët tanë” mbahej nga një protestues përpara syve të tij.
Më skandaloz ishte edhe fakti që një dyqan armësh, ku vrasësi i Konektikatit u përpoq të blinte një pushkë tre ditë përpara tragjedisë, favorizonte shitjen e armatimeve nëpërmjet një uljeje madhore çmimesh për rastet e festave.
Top Channel